Arbëri

KMDLNJ: Vrasja e gruas shtatzënë, dështim i mekanizmave mbrojtës të shtetit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka thënë se mekanizmat mbrojtës të shtetit janë fajtor për vrasjen e gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, të mërkurën.

Mbrëmë rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, është vrarë gruaja shtatzënë, nga bashkëshorti i saj Sokol Halili, me të cilin ishte në proces të ndarjes. I dyshuari ende nuk është arrestuar, ndërsa Policia ka bërë thirrje publike për ndihmë për ta kapur atë. Viktime ishte e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë ku pritej të lindte së shpejti.

KMDLNJ-a kërkon dhe pret që Policia e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur të arrestojë të dyshuarin dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjës ta nxjerrin para organeve të drejtësisë.

KMDLNJ-a apelon qytetarët që të informojnë Policinë e Kosovës në rast se kanë dijeni për vendndodhjen e dorasit në mënyrë që të arrestohet sa më parë, teksa kundërshton fuqishëm deklaratat nxitëse dhe shpërdoruese të politikanëve që duke keqpërdorur viktimat, edhe aty duan të përfitojnë politikisht.

Për më tepër, KMDLNJ-a kërkon të bëhen hetimet se cilat hallka të zinxhirit institucional përgjegjëse për jetën e të ndjerës kanë dështuar dhe në përputhje me këtë të merren masa konkrete në bazë të shkallës së përgjegjësisë.

KMDLNJ konstaton se po të ishte respektuar dhe mbikëqyrur urdhri për mbrojtje do të kishte siguri më të madhe për viktimën.

“Lëshimi më i madh është bërë për faktin se të dyshuarit nuk i ishte vendosur unaza elektronike, baza juridike për të për të cilën ekziston e që parashihet me Ligj që ishte miratuar para dy vjetëve. Zinxhiri i përgjegjësisë është i gjatë dhe çështja nuk përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit për vrasje”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së.