Arbëri

Haradinaj: Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim

Descriptive Text

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare.

Haradinaj ka theksuar se e ndjera nuk është mbrojtur nga shteti, të cilit i kishte kërkuar ndihmë.

“Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim! Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por ai nuk e kishte mbrojtur”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij burimi i së keqes e i krimit në këtë shtet e ka një shkak, e ka një burim dhe e ka një kokë. Ai sipas Haradinajt është kryeministri Kurti.

“Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizerje, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyrë mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar ... ai me ose pa vetëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se s’do të kishte dëshirë që të ishte i pari që Kurtin ta quante edhe vrasës.

“Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur 'mashtrues' dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!”, ka shkruar Haradinaj