Arbëri

Haxhiu pas vrasjes së gruas shtatzënë, paralajmëron dorëheqje e shkarkime

Descriptive Text

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar dorëheqje e shkarkime posa të vërtetohet dështimi në hallkat institucionale pas vrasjes së gruas shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën.

Haxhiu këto komente i bëri të enjten pas takimit urgjent që pati me grupin e ngushtë ndërministror. Ajo madje ka thënë se personat përgjegjës do duhet të marrin edhe përgjegjësi penale.

“Momenti që do të verifikohet hallka dështuese institucionale, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Ju garantoj që nëse shohim dështim në hallkat institucionale, do të ketë dorëheqje apo shkarkime”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ia la fajin Prokurorisë për rastin tragjik, ndërsa pati akuza edhe për gjyqtarët, të cilët sipas saj, po neglizhojnë raste të tilla.

“Personi i dyshuar ishte liruar në procedurë të rregullt pasi ishte raportuar për dhunë fizike. Gjyqtarët po i neglizhojnë rastet e tilla. Është papërgjegjësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje të mbrohen gratë dhe vajzat. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu theksoi se edhe në raste të kaluara është kërkuar dorëheqja e personave përgjegjës, porse siç thotë ajo, askush nuk ka marrë përgjegjësi morale e penale. Shtoi se si Ministri nuk e kanë mandatin për të shkarkuar gjyqtarë e prokurorë. 

Haxhiu gjithashtu pati kritika për mospjesëmarrjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në këtë takim.

“Do duhet të kishin qenë, së paku për ndërgjegje morale e njerëzore. Nuk kam koment për veprimin e tyre”, vazhdoi Haxhiu.

Në fund, minstrja e Drejtësisë ka deklaruar se ka edhe disa informacione të tjera, por për shkak të hetimeve, nuk mund të bëhen të ditura. 

Rasti tragjik tronditi opinionin ditën e djeshme. Shtatzëna 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka qenë në proces të ndarjes. I dyshuari ende nuk është arrestuar.