Arbëri

Opozita skeptike për rezervat shtetërore

Për vitin e ardhshëm, për rezervat shtetërore, janë ndarë 15 milionë euro. Këtë pozita po e quan sukses duke bërë krahasimin me qeveritë e kaluara, kurse opozita është skeptike që kjo shifër është reale.

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka thënë se Qeveria Kurti 2 ka shtuar rezervat shtetërore, duke e dyfishuar edhe buxhetin. Madje, sipas tij, përkundër vështirësive globale, ekonomia kosovare ka shënuar rritje.

“Rezervat janë shtuar dhe është politikë shtetërore që rezervat të jenë të qëndrueshme. Prandaj rezervat lidhen me situata të paparashikueshme. Qeveria e ka rritur buxhetin dhe shteti po performon me mirë. Prandaj ekonomia përkundër vështirësive globale ekonomia ka shënuar rritje”, tha Dugolli.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka deklaruar se kjo qeveri është jotransparente në të gjitha proceset, duke e çuar vendin në një krizë të thellë energjetike.

“Ne po shohim se kjo qeveri është shumë jo transparente në të gjitha proceset. Nuk e dimë a ka rezerva. Në lexim të parë ka kaluar Ligji i buxhetit dhe qeveritarët janë mburr që është buxheti me i madh prej ekzistencës së shtetit të Kosovës ndërsa nuk llogaritin inflacionin. Ne jemi në krizë energjetike dhe Kosova blen energji me shuma marramendëse. Inflacioni është rritur pagat nuk janë rritur fare dhe ne kemi kërkuar që të procedohet ligji i pagave në mënyrë që të rriten pagat. Kjo Qeveri kërkon të krijojë probleme, kërkon të krijojë dhunë”, shtoi Kadriaj.

Sipas saj, partitë opozitare nuk kanë informacione fare sa u përket rezervave shtetërore.

Ditë më parë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se për vitin 2023 janë ndarë 15 milionë euro për rezervat shtetërore, duke theksuar se origjina e produkteve është kryesisht nga vendi ynë.

Sipas saj, të gjithë operatorët i kanë kryer obligimet lidhur me sjelljen e këtyre rezervave./EO