Arbëri

Zgjedhjet në veri, vetëm një nga tri subjektet shqiptare shpalos kandidatin për kryetar

Vetëm një nga tri subjektet politike shqiptare ka bërë të ditur kandidatin për kryetar në zgjedhjet e 18 dhjetorit që do të mbahen në katër komuna të veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Partia Demokratike e Lëvizja Vetëvendosje, si të vetmet parti politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet në veri, po e presin certifikimin e kandidatëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’i shpalosur emrat. Ndërkaq mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje njohësi Arbër Thaçi e interpreton se rrezikon mbarëvajtjen e procesit e pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje.

Partitë e vetme që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që më 18 dhjetor do të mbahen në katër komunat me shumicë serbe nuk i kanë shpalosur ende kandidatët e tyre për kryetarë.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë njoftuar se po e presin certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për publikimin e emrave të kandidatëve, me të cilët synojnë të marrin udhëheqjen në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.

KQZ-ja ka kohë deri të hënën për të vendosur rreth certifikimit të kandidatëve.

Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se mospublikimi i emrave të kandidatëve mund të ndërlidhet me situatën rreth shpalljes së zgjedhjeve, pas dorëheqjes së kryetarëve në komunat veriore shkaku i pakënaqësisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale të veturave.

“Mungesa e kandidatëve ndoshta lidhet me krejt këtë lloj le të themi procesi të përshpejtuar zgjedhor dhe paqartësitë të cilat kanë lidhur me të. Në këtë kuptim mendoj se duhet të shpjegohet mbase edhe prej kësaj paqartësie lidhur me pjesëmarrjen e Listës Serbe dhe me mosnjohjen e faktit se a do të zhvillohen këto zgjedhje në një proces të rregullt...”, ka thënë Thaçi.

Pjesë e zgjedhjeve në veri nuk do të jetë subjekti më i madh politik serb, Lista Serbe. Për mosaplikimin e saj në zgjedhje, Thaçi thotë se mund të ketë ndikim në legjitimitetin e votimeve.

“Mungesa e Listës Serbe, përveçse e dëmton procesin zgjedhor në kontekstin e legjitimitetit, mbase shton një drojë shtesë edhe në disa dimensione të tjera, një nga ato është edhe rreziku i bojkotimit masiv të këtyre zgjedhjeve nga komuniteti serb”, ka thënë ai.

Krahas PDK-së e LVV-së, nga partitë shqiptare garës për kryetar të Mitrovicës së Veriut i është futur edhe Skënder Sadiku nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.

Ai ka thënë se procesi i zgjedhjeve aty varet nga raportet mes Kosovës e Serbisë.

“Nëse veç shkon kështu të barrikaduar, Lista Serbe nuk është shembull i mirë për demokracinë, Lista Serbe besoj që politikisht do ta bartë barrën e këtij bojkoti”, ka thënë Sadiku.

Afati për certifikimin e kandidatëve është përmbyllur të premten. Në KQZ kanë bërë të ditur se për kryetarë të komunave me shumicë serbe kanë aplikuar gjashtë subjekte politike. Për pjesëmarrje në këto votime kanë aplikuar edhe Partia e Serbëve të Kosovës, vetëm për Leposaviq, e një kandidat i pavarur, dhe Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.