Arbëri

Kurti tregon si u bind për targat, “situata mund të përkeqësohej në mënyrë të pakthyeshme”

Albin Kurti - konferenca

Kosova zyrtarisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një intervistë me gazetarin e njohur Michael Martens, që është korrespodent në Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Martens ka publikuar disa pjesë nga intervista e cila ende nuk është publikuar e plotë.

Kurti ka thënë se është pajtuar për një kompromis për “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Ambasadori amerikan “kishte më shumë informata se unë” mbi situatën në veri, citohet të ketë thënë Kurti, duke përmendur “shqetësime për sigurinë” pa shkuar në detaje të mëtejme.

Më 23 nëntor, në Bruksel u arrit marrëveshja mbi targat, sipas së cilës, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.