Arbëri

Frikë për shqiptarët që gjenden në kampet e ISIS-it, kurdët kërcënojnë se nuk do t’i ruajnë më

Forcat kurde në verilindje të Sirisë kanë deklaruar për BBC-në se mund të jenë të detyruar të ndërpresin ruajtjen e kampeve ku mbahen militantët e Shtetit Islamik dhe të afërmit e tyre. Forcat Demokratike Siriane thanë se nuk kanë më kapacitete për të ruajtur këto kampe, si pasojë e sulmeve nga ushtria turke.

Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, në njërin nga këto kampe, Al Hawl, ndodhen edhe 13 shqiptarë.

Turqia ka zhvilluar disa operacione në rajon, pas atentatit me bomba në Stamboll ku humbën jetën 6 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Shteti turk fajëson forcat kurde për mbështetjen e terroristëve, çka ka sjellë edhe një tensionim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Forcat Siriane Demokratike (FSD) janë të përbëra kryesisht nga militantë kurdë, të cilët mbështeten me armatime nga Shtetet e Bashkuara. Ata kanë mohuar çdo përfshirje në sulmin e ndodhur në Stamboll.

Kreu i FSD, Gjenerali Mazloum Abdi, tha për BBC se operacionet ushtarake turke do të ndihmonin në ringritjen e grupit terrorist të ISIS-it. “Kjo do të sjellë një luftë të dytë civile në Siri dhe operacionet tona kundër ISIS-it do të ndërpriteshin”, tha ai. “Ne luftuam dhe mundëm ISIS-in në bashkëpunim me një koalicion ndërkombëtar, ndërsa tani Turqia do të minojë të gjithë përpjekjen”.

Al-Hawl është kampi më i madh ku mbahen militantët e ISIS-it dhe familjarët e tyre. Sipas BBC-së, aty jetojnë mbi 50 mijë njerëz, mbi 60% gra dhe fëmijë.

Abdi paralajmëroi që, nëse sulmet turke vazhdojnë, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e forcave të tij për të ruajtur kampin. “Do të jemi të zënë duke mbrojtur njerëzit tanë dhe nuk do të mund të ruajmë kampet”, tha ai. “Autoritetet turke kanë shënjestruar vendqëndrime civilësh, stacione elektrike, apo të prodhimit të naftës. Kjo do të sjellë zhvendosje masive të njerëzve”.

Në maj të këtij viti, Shqipëria dhe Kosova zhvilluan operacionin më të fundit për riatdhesimin e shtetasve të vet. Autoritetet raportuan se 4 gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit.

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve të SHBA-së nëpërmjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë./ A2News