Arbëri

Deputetët nuk ndryshojnë, shtyhet sërish seanca në mungesë të kuorumit

Pavarësisht se ka pasur kritika në Raportin e Vendit për vitin 2021 për punën e dobët të Kuvendit, deputetët nuk kanë ndryshuar qasje. Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i ka shtyrë për një ditë tjetër punimet e seancës të së enjtes, e cila ishte vazhdim i pikave të papërfunduara në seancën e 30 shtatorit.

Kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca, ka thënë se meqë të pranishëm janë vetëm 53 deputetë, seanca shtyhet.

Në vazhdim të seancës është arritur të miratohet vetëm Komisioni për Regjistrim të Popullsisë, proces ky i cili do të nisë më 1 shtator dhe do të përfundojë më 16 tetor të vitit 2023.

Edhe Raporti i Progresit i këtij viti e ka kritikuar punën e Kuvendit të Kosovës. Në raport, Kuvendi i Kosovës kritikohet për menaxhim të dobët të agjendës legjislative.

"Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur një kuorum vendimmarrës, ndonëse Qeveria ka një shumicë të fortë. Kjo është pjesërisht për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, por edhe për shkak se anëtarët e opozitës në Kuvend kanë abstenuar nga votimi për të penguar miratimin e ligjeve”, thuhej në Raport.

Ndërkaq, sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës, për 6 muajt e parë të këtij viti, 23 seanca kanë dështuar shkaku i mungesës së kuorumit. Në këtë periudhë janë regjistruar rreth 700 mungesa të deputetëve në seanca.