Arbëri

Tahiri: Kurti lëshoi pe për targat, s’guxon të bëjë marrëveshje pa njohje reciproke

Descriptive Text

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka theksuar se me arritjen e marrëveshjes për targa, kryeministri, Albin Kurti, ka lëshuar pe.

Sipas saj me këtë marrëveshje nuk ka afat të caktuar, se për sa kohë në Kosovë do të qarkullojnë veturat me targa ilegale. Sipas saj është bërë gabim që nuk është pranuar propozimi i SHBA-së, që afati për shndërrim të targave ilegale në RKS, të shtyhet për 10 muaj.

“Marrëveshja për targa u arrit, Kurti lëshoi pe, tash nuk dihet edhe sa kohë do te qarkullojnë targat ilegale në veri të vendit, meqë nuk ka afat marrëveshja. Sikur te dëgjoheshin amerikanët afati do të ishte 10 muaj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ajo ka thënë se nuk dihet as nëse Kurti ka bërë kompromise të tjera. “Prapë nuk u bë publike marrëveshja, nuk e dimë edhe çfarë kompromisesh tjera ka bërë Kurti, si në të kaluarën. Por një gjë e dimë, Kurti e as Qeveria e tij nuk guxon të bëjë marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë. Nëse lëshon pe përballë do ta gjejë popullin e Kosovës, të cilin e njoh mirë sepse është popull shembullor që di të mbrojë interesat kombëtare”, ka shkruar Tahiri.