Arbëri

Sveçla paralajmëron kapjen e kriminelëve që kanë sulmuar Policinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se në bazë të informatave që ka, shumë shpejt pritet adresimi para drejtësisë i kriminelëve që kanë kryer sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit gjatë muajve të fundit.

Sveçla ka thënë se prej vendimit për zbatim të çështjes së targave, ka pasur 11 sulme ndaj Policisë. Por shton se situata është duke u menaxhuar shumë mirë nga institucionet e Kosovës bashkë me ato ndërkombëtare.

Ministri i Brendshëm e pranoi që Policia ka pasur vështirësi në identifikimin e autorëve që kanë kryer sulmet ndaj Policisë apo kanë djegur veturat e qytetarëve serbë që konvertuan targat në RKS. Por thekson se po bëhen hetim intensive, që ai beson se do të ketë rezultat shumë shpejt.

“Policia ka pas vështirësi në hetimin dhe përndjekjen e kriminelëve që kanë bërë këto sulme, qoftë ndaj Policisë, qoftë ndaj qytetarëve të tjerë. Kjo është edhe si rezultat i drejtorisë rajonale në Mitrovicën e Veriut që nuk ka përmbushur obligimet e tyre ligjore. Policia po heton secilin rast veç e veç. Kemi pasur rezultatet e para në luftimin e grupeve që janë marrë me kontrabandë dhe kjo nuk e mohon që mund të jenë të njëjtat grupe që qëndrojnë pas këtyre sulmeve. Në bazë të informatave, do të ketë adresim edhe ndaj kriminelëve që kanë marrë pjesë në këto sulme. Janë duke u bërë hetime intensive që do të na çojnë drejt rezultateve shumë shpejt”, ka thënë ai në konferencë për shtyp të mërkurën.

Sveçla njoftoi se dorëheqjet e Policisë në veri janë ende në shqyrtim. Sapo të përfundojë kjo procedurë, sipas tij, do të hapet konkursi për pranimin e policëve të rinj.