Arbëri

Gruri sivjet mbulon vetëm 65 për qind të nevojave

Kultura e grurit nga viti në vit po mbillet më pak. Rendimentet jashtëzakonisht më të ulëta në këtë vit, në krahasim me 2016-ën, tregojnë më së miri interesimin e vogël të fermerëve për të punuar në prodhimin e grurit.

Çmimi i ulët për grurin ka ndikuar që fermerët t’i zvogëlojnë sipërfaqet me këtë kulturë.

Si faktorë të tjerë konsiderohen edhe acari i muajit janar, që ka penguar vegjetacionin e grurit, si dhe shumë faktorë të tjerë, siç janë: thatësira, plehrat dhe farat jocilësore.

Por, pengesë shihet edhe mungesa e stimulimit dhe subvencionet e vogla, të cilat bujqit i marrin gjithmonë me vonesë.

Sipas Tahir Tahirit nga Federata e Sindikatës së Bujqve, Komuna e Vitisë, Vushtrrisë, Gjakovës dhe Drenicës janë vendet të cilat kanë prodhuar më së paku grurë që mbahet mend ndonjëherë. Ndërkaq, shton se shqetësuese sërish mbetet fakti i blerjes së grurit jocilësor nga Serbia me një çmim tejet të ulët.

Në Ministrinë e Bujqësisë, në bazë të të dhënave të para, nga 70 mijë hektarë tokë të mbjella me grurë, apo 14 mijë​ më pak sesa vitin e kaluar, do të sigurohen 280 mijë tonë grurë.

Me këta tonë grurë, sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, do të mbulohet 65 për qind e nevojave të qytetarëve, me kusht që e gjithë kjo sasi të konsumohet brenda vendit.

Në fund të javës pritet që Ministria dhe Federata Sindikale e Bujqësisë të dalin me raportet e tyre përfundimtare, pasi t’i mbledhin të gjitha të dhënat e sakta nga terreni.

Fushata e korrje- shirjeve, e cila ka nisur në fund të qershorit, ka përfunduar në të gjitha komunat, përveç në atë të Dragashit.