Arbëri

Hill: Kërkova nga Vuçiqi që ta vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog.

Hill ka thënë të martën pas një takimi që ka pasur me Vuçiqin, se qasja konstruktive është mënyra për ta gjetur një zgjidhje.

"Një qasje konstruktive është sigurisht mënyra për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Hill.

Sipas tij, BE-ja po bën një punë të shkëlqyer, por se problemet urgjente nuk duhet të lejohen të lënë në hije çështje të rëndësishme.

Takimi i një dite më parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka përfunduar pa ndonjë rezultat edhe pas disa rundesh takimesh bilaterale e trilaterale.

SHBA-ja i ka kërkuar disa orë më pas kryeministrit të Kosovës që ta shtyjë për 48 orë zbatimin e vendimit për targat, sipas të cilit, nga 22 nëntori do të fillonte periudha e gjobitjes së serbëve me vetura me targa serbe.

Kurti ka vendosur që ta shtyjë vendimin me kërkesë të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.