Arbëri

Haradinaj: Kurti e dërgoi veriun në prag të ndarjes nga Kosova

ramush haradinaj, freedom house, raporti, krim i organizuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se sjellja dhe veprimet e kryeministrit, Albin Kurti, në raport me situatën e krijuar në vend, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme.

Sipas tij mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit.

“Kemi ardhur në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve. E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet e vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka thënë se e kupton sjelljen e kundërshtarëve politikë të Kurtit, që sipas Haradinajt, i gëzohen fundosjes politike të tij, por ka thënë se ai është i shqetësuar, jo për dështimin e kryeministrit, por për dështimin e Kosovës.

“Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE-së dhe të SHBA-së, Kosova nga viktimë, është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv. Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA-në edhe me evropianët, ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë, të vendosë popullizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës, ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës, ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë, të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin e ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit.

“Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribuese të stabilitetit në rajon, në element destabilizues”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, rruga e vetme e Kurtit është të bashkëpunojë me partnerët e Kosovës.

“Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vetëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA-në. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë.