Arbëri

Liberalizimi hyn në fuqi më 1 nëntor 2023, ose më 1 janar 2024

KOHA ka mësuar nga burimet diplomatike në Bruksel,të martën, se është arritur kompromisi për propozimin e Presidencës Çeke të BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky vendim nga diplomatët konsiderohet, si vendim pozitiv për Kosovën, edhe pse data e hyrjes në fuqi, sipas kompromisit të ri, do të shtyhet për një muaj më shumë sesa ishe thënë më parë, dhe do të nisë më 1 janar të vitit 2024.

Siç mëson KOHA, kjo është bërë për t’i kënaqur kërkesat e Spanjës e cila nuk ka dashur që hyrja në fuqi të ndodhë në kohën kur Spanja do ta ketë Presidencën e radhës së BE-së.

Pra, në vend të 1 dhjetorit 2023, kosovarët, sipas këtij kompromisi, do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së dhe vendet tjera të zonës Schengen prej datës 1 janar të viti 2024.

Para një jave Spanja, Sllovakia dhe Suedia kishin thyer procedurën e heshtur në Këshill të BE-së dhe kishin penguar kalimin e propozimit i cili si datë të hyrjes në fuqi të liberalizimit kishte përmendur 1 dhjetorin 2023, ose të hyjë në fuqi së bashku me sistemin e ETIAS-it. Spanja kishte vërejtje në këtë datë, Sllovakia në formulimin e disa fjalëve ndërsa Suedia kërkonte më shumë kohë për konsultime në Parlament.

Por, Presidenca Çeke ka bërë një angazhim të jashtëzakonshëm dhe në konsultime me vendet që kishin vërejtje ka arritur kompromis, për të cilin janë pajtuar sot vendet anëtare, në takimin e Këshilltarëve për viza, në përfaqësitë e tyre të përhershme në Bruksel.

Ky tekst i propozimit do të kalojë si vendim të mërkurën, pa diskutime në takimin e COREPER-it, që është trupë ku bëjnë pjesë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Me këtë vendim, do t’i jepet mandat Presidencës Çeke që të nisë të ashtuquajturin “Trialog” me Parlamentin Evropian dhe Komisionit për ta formalizuar vendimin.

Por liberalizimi i vizave për Kosovën, ndonëse i vonuar dhe me një datë të hyrjes në fuqi pas më shumë se një viti, nga diplomatët në Bruksel konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha gjatë këtij viti, në raportet e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimore.