Arbëri

Palokaj: Vuçiqi e ka përkrahjen e Borrellit e Lajçakut

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka theksuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka fajësuar Kosovën për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje. 

“Ai qartë fajësoi Kosovën për refuzim të asaj që ai e quajti propozim të BE-së për të dalë nga kriza, ai nuk saktësoi se cili ishte ai propozim, por më vonë tha se pasi ai nuk është pjesë e marrëveshjes. Ai bën apel që Kosova të mos e kalojë në fazën e dhënies së gjobave e Serbia të suspendojë dhënien e gjobave”, tha Palokaj në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Palokajt, Borrelli e ka fajësuar Kosovën edhe për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Kemi të bëjmë me dy propozime, propozimin të cilin Borrell thotë se e ka refuzuar Kurti dhe e ka pranuar Vuçiqi dhe propozimi për të dalë nga kriza dhe për të ulur tensionet. Propozimi për të cilin Kurti thotë se BE-ja ka hequr dorë, është propozimi franko-gjerman, apo propozimi i BE-së për ecje drejt zgjidhjes përfundimtare, për të cilën afati, sipas Kurtit është dashur të jetë marsi i vitit 2023. Serbia nuk ishte e gatshme për këtë e Kosova e konsideron atë si bazë të mirë për negociata. Vuçiqi tha se nuk mund të diskutojmë për gjera të cilat nuk kanë qenë tema deri më tash, pa i zbatuar obligimet që palët i kanë marrë nga e kaluara në dialog dhe këtu shihet qartë që Serbia e ka mbështetjen e plotë të BE-së, sëpaku të Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe nga emisari Lajçak”, tha Palokaj.

Palokaj ka thënë se Borrelli e Lajçaku në të kaluarën, kishin thënë se ishte gabim shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Borrelli dhe Lajçaku në të kaluarën e tyre kanë pasur qëndrime, së paku në emër të qeverive ku kanë shërbyer si ministra, se ka qenë gabim shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe ka qenë e papranueshme, shtet e tyre nuk e kishin njohur Kosovën, dhe si persona mund të thuhet se nuk kanë qenë asnjëherë të paanshëm”, ka thënë Palokaj.