Arbëri

Israel: Dështimi i dialogut, dështim i Borrellit dhe i BE-së

Dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë, korrespondenti i gazetës zvicerane “Tages Anzeiger” nga Brukseli, Stepahn Israel, ia ka atribuuar Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

Israel i cili ka raportuar me vite për ngjarjet në Kosovë, dështimin e arritjes së marrëveshjes e ka lidhur me faktin që Borrell është me origjinë nga Spanja.

“Dështimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është dështim nga ana e Josep Borrell, vendlindja e të cilit është një nga ato shtete që Kosovën, ashtu si Serbia, ende nuk e ka njohur. BE-ja ka dështuar në rolin e saj si një ndërmjetës neutral”, ka shkruar Israel në Twiter.

Sipas tij Brukseli gjithmonë është përpjekur ta akomodojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Brukseli gjithmonë është përpjekur të akomodojë presidentin Vuçiq dhe po i bën presion Kosovës si një partner, gjoja më i dobët. Serbia nuk respekton sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe po flirton me Kinën, e cila mbetet pa pasoja. Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që ende nuk ka liberalizmi të vizave, i cili shtyhet vazhdimisht me justifikime të reja”, ka shkruar Israel.

Ai ka theksuar se Serbia mban struktura paralele në veri të Kosovës dhe Brukseli vetëm shikon nga ana tjetër.

Sipas Israelit, është përgjegjësi e BE-së fakti që ky konflikt tani po kërcënon të përshkallëzohet.