Arbëri

Policia nis gjobitjen për targa ilegale një ditë më vonë nga që ishte paralajmëruar

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjobitja për pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale do të fillojë nga data 22 nëntor dhe jo nga data 21 ashtu siç është përcaktuar me vendim të Qeverisë.

Në vendim të Qeverisë thuhet se masa e gjobitjes do të nis nga 21 nëntori.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Policia ka thënë se konform planifikimeve operacionale ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me  Nr.05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS.

“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) Nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel.

Image