Arbëri

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë priti gjyqtarët e posadekretuar

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, ka pritur sot gjyqtarët e rinj, të cilët dje janë dekretuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Pasi iu uroi suksese në punën e tyre si gjyqtarë, ajo nga gjyqtarët e rinj kërkoi përkushtim dhe angazhim të madh, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen rezultate në punë.

Gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata, me numër të vogël të gjyqtarëve dhe rritje të madhe të numrit të lëndëve të arritura në Gjykatë, sidomos në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe Divizioni për Çështje Civile.

Në fund, kryetarja e Gjykatës premtoi se në të ardhmen do të ketë bashkëpunim profesional, përkrahje dhe mbështetje nga ana e saj, duke shpresuar se me emërimin e tyre Gjykata do të rrisë edhe më shumë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë caktuar 18 gjyqtarë, ndërsa në degën e saj në Podujevë 2 gjyqtarë, në atë të Lipjanit 1 dhe në degën në Drenas po ashtu 1 gjyqtar.

Gjyqtarët do të vijojnë trajnimin në periudhën një vjeçare në Akademinë e Drejtësisë.