Arbëri

Kurti për targat: Do të shohim se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja

Albin Kurti Kaja Kallas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, duke shtuar se mbetet të shihet në të ardhmen se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja me Serbinë.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë të premten në Estoni, derisa në një konferencë për media është pyetur lidhur me vendimin për targat.

“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti gjatë një konference bashkë me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.

Ai ka shtuar se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, është në komunikime të rregullta dhe intensive me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje.

“Janë rreth 9 mijë vetura me targa ilegale serbe, kjo është më pak se 10 për qind të veturave që serbët në Kosovë kanë. Ka një pakicë eksterem që po refuzojnë këto targa”, ka theksuar Kurti.

I pyetur se sa është Qeveria e kënaqur me punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Kurti ka thënë se në ish-Jugosllavi janë vrarë rreth 150 mijë joserbë dhe se për fat të keq në Serbi nuk janë dënuar për këtë as 150 persona.

Ai ka thënë se vendet demokratike nuk mund të mbështeten vetëm në gjykatat e një vendi të vetëm, për këtë arsye sipas tij tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme.

“Vetëm në vendin tim në Kosovë 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, prej tyre 10 për qind fëmijë, janë dhunuar shumë femra, 120 mijë shtëpi janë shkatërruar ose djegur, 860 mijë refugjatë është dashur të ikin për shkak të gjenocidit të Serbisë, dhe nuk ndiej që drejtësia është përmbushur”, ka theksuar Kurti.