Arbëri

MSH: Buxheti i vitit 2023, buxhet i shëndetësisë

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se buxheti i vitit të ardhshëm, i cili në parim është votuar në Kuvend të enjten, është buxhet i shëndetësisë.

“Buxheti i vitit 2023 në shumën prej 296 milionë eurove për shëndetësisë është buxheti më i lartë historik”, thuhet në një komunikatë për media të MSH-së

Sipas komunikatës ai do të sigurojë mbulimin e Listës së barnave esenciale, ku thuhet se janë buxhetuar 60 milionë euro.

Ky Buxhet sipas MSH-së do të mundësojë përmirësimin e infrastrukturës dhe shtimin e pajisjeve mjekësore, për avancimin e cilësisë dhe zgjerimin e shërbimeve të reja si dhe vijimin e investimeve në spitale dhe qendra shëndetësore.

Buxheti theksohet se do të bëj të mundur edhe ngritjen profesionale dhe edukimin e vazhdueshëm profesional, si synim që thuhet se do të realizohet përmes buxhetit për specializime, subspecializime, hulumtime shkencore e sjellje të ekspertizës nga vendet e tjera.

“Rritjen e buxhetit për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor, duke shtuar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësor. Planifikimin për herë të parë në ndarjen e pakove të veçanta për nënat dhe fëmijët në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë dhe pakoja mbështetëse për pacientet në Klinikën e Onkologjisë të prekur nga kanceri”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Buxheti theksohet se do të mundësojë edhe financimin dhe një seri aktivitetesh e veprimtarish që parashikohen të ndërhyjnë në transformimin e gjendjes dhe rritjen e cilësisë së vendimeve e shërbimeve edhe në AKPMM, IKSHPK dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.

Sipas MSH-së me këtë buxhet mundësohet edhe shtimi i 100 pozitave të reja në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor për profesionistë shëndetësorë, të cilat thuhet se, duhet të shfrytëzohen për sektorët deficitarë dhe për të plotësuar ato shërbime mjekësore që janë në mungesë për shkak të burimeve njerëzore.

Buxheti i vitit që vjen theksohet se mundëson edhe financimin e 42 pozitave të reja për inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutike, siç thuhet, për të avancuar në mbikëqyrjen e sigurimit të cilësisë e shërbimeve shëndetësore.