Arbëri

KEDS: ZRRE-ja nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e krizës

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), ka deklaruar se e kishte paralajmëruar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për krizë energjetike që nga korriku i 2021-s, por sipas saj, ky institucion nuk kishte marrë asnjë masë.

KEDS-i tha të mërkurën nëpërmjet një komunikate se kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të krizës ishte refuzuar, ndërsa theksoi se ZRRE-ja mori më pas një vendim të vonuar, “i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës”.

Për gjobën e ZRRE-s ndaj KEDS-it, ky institucion tha se Bordi po përpiqet t'i shkarkojë përgjegjësitë e mosveprimeve të vazhdueshme të tij.

“Me fjalë të tjera, veprimi i vetëm për tejkalimin e krizës energjetike është vendimi për t’i gjobitur operatorët KEDS/KESCO, duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike. Pa asnjë dyshim, KEDS dhe KESCO do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, me argumentet dhe dëshmitë përkatëse, me besim të patundur në sistemin e Drejtësisë së Kosovës. Shkaktimi i krizës energjetike ka ndodhur jashtë kontrollit të operatorëve, të cilët kanë vuajtur pasojat e mosveprimit me kohë të institucioneve përkatëse”, thuhet tutje në njoftim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka gjobitur KESCO-n me 8.4 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë.

Këtë vendim e ka marr bordi i ZRRE-së në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Gjobitja e këtyre dy ndërmarrjeve ka ndodhur pas shkeljeve që ka gjetur ZRRE-ja gjatë monitorimit të tyre.

Në raportin e ZRRE-së thuhet se KESCO kishte rrezikuar furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Kosovë. Sipas tij, KESCO kishte vepruar në kundërshtim me kushtet e licencës, duke bërë ndërsubvencionim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar.