Arbëri

ZRRE-ja gjobit KESCO-n me 8.4 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë

Descriptive Text

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka gjobitur KESCO-n me 8.4 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë.

Këtë vendim e ka marr bordi i ZRRE-së në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Gjobitja e këtyre dy ndërmarrjeve ka ndodhur pas shkeljeve që ka gjetur ZRRE-ja gjatë monitorimit të tyre.

Në raportin e ZRRE-së thuhet se KESCO kishte rrezikuar furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Kosovë. Sipas tij, KESCO kishte vepruar në kundërshtim me kushtet e licencës, duke bërë ndërsubvencionim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar.

Ndërsa gjatë monitorimit të KEDS-it, ZRRE-ja ka konstatuar se kjo kompani nuk kishte prokuruar energji elektrike për mbulimin e humbjeve që parashihet me dispozita ligjore. Po ashtu, KEDS-i kishte nominuar sasi më të vogla të energjisë për humbje të rrjetit të shpërndarjes se sa vet parashikimi.

Gjobat duhet të paguhen brenda dy vjetëve me nga katër këste.

“Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar vlerësimin përfundimtar në lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e monitorimit dhe ka miratuar propozimin për masat administrative me gjobë për KESCO ne vlerën prej 8,4mil€ dhe për KEDS ne vlerën prej 2,7mil€”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Në këtë mbledhje Bordit i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratoi edhe dy kërkesa për licencë të furnizimit me shumicë të energjisë elektrike, si dhe ka miratuar parametrat rregullator për KOSTT-in dhe KEDS-in, për periudhën 2023-2027.

“Bordi i ZRRE-së, shqyrtoi raportet fillestare të monitorimit për KOSTT dhe KEK, pas shqyrtimit Bordi i ZRRE-së, ka vendosur që raportet t’ju dërgohen palëve për të ofruar komentet e tyre me shkrim për shkeljet e gjetura, brenda 14 ditësh nga pranimi i raporteve”, thuhet në njoftim.

Bordi i ZRRE-së në këtë mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregullën për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja Gjeneruese.

Gjithashtu në këtë mbledhje, Bordi ka miratuar disa propozime tjera për operatorët në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë që thuhet se, kanë të bëjnë me Rregullat për Alokim Eksplicit ditor të kapacitetit në kufijtë e zonave ofertuese të shërbyer nga Zyra e ankandeve të koordinuara të Evropës Juglindore, si dhe propozim ndryshimet në kodin për qasje në toka dhe ndërtesa.

Bordi ka miratuar edhe 14 kërkesa për marrje të autorizimit të ndërtimit të paneleve solare për vetkonsum, nga të cilat 9 janë dorëzuar nga persona fizikë dhe pjesa tjetër e mbetur nga ndërmarrje të ndryshme me gjithsej 503kË.

Bordi ka shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të ZRRE-së.