Arbëri

Jabllanoviq nuk është i sigurt se do të marrë pjesë në zgjedhjet në veri, pret sinjale nga Beogradi

Aleksandar Jabllanoviq

Kryetari i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, është deklaruar pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me planet për organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës.

Përfaqësuesit e partive serbe të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin në foltoren e Kuvendit, pranë flamurit të Kosovës. Ata kanë insistuar të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve, pasi thonë se situata në veri është e tensionuar.

“Kemi ardhur me dëshirën më të madhe për të dëgjuar se cilat janë planet e Prishtinës për organizimin e këtyre zgjedhjeve. A do të dalim në zgjedhje, kjo varet nga shumë rrethana. Për ne, si komunitet serb, varet nga disponimi në bashkësinë tonë, por edhe prej qëndrimit të Beogradit zyrtar. Duhet të përcjellim sinjalet që dërgon Qeveria e Serbisë”, tha Jabllanoviq.

E Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive ka lutur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të shtyjë vendimin për targa edhe për dhjetë muaj, e të mos fillojë me gjobitjen e shoferëve që kapen me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.