Arbëri

Opozita i kërkon Qeverisë të shtyjë përpara planin franko-gjerman

Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria që ta marrë seriozisht situatën dhe të shprehë gatishmërinë për të diskutuar rreth planit franko-gjerman të propozuar në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ato kanë kërkuar që të ketë edhe një debat në Kuvend rreth këtij plani. Ndërkohë, njohës të procesit të dialogut thonë se Qeveria me vendimin për targa e ka vendosur në plan të dytë propozimin franko-gjerman për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi

Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfrytëzojë situatën e krijuar për të ecur përpara në procesin e dialogut me Serbinë dhe të negociojë planin franko-gjerman.

Ato kanë kërkuar nga Qeveria që të ketë një debat formal për dialogun në Kuvend dhe të dihet qëndrimi i ekzekutivit në raport me planin franko-gjerman.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar transparencë për këtë proces dhe të ndërtohet një konsensus politik.

“Deri tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe ndaj publikut në përgjithësi për propozimin franko-gjerman. Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook të dielën.

Ai ka thënë se informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues që ka ekzekutivi ndaj legjislativit.

“Vetëm kështu, 1, sigurohet transparenca ndaj publikut, 2, përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe 3, ndërtohet konsensusi politik e shoqëror. Asnjëherë Kosova nuk ka pasur opozitë më mbështetëse për dialogun sesa tani. Kjo rrethanë duhet të shfrytëzohet për të lëvizur përpara”, ka theksuar Hoti.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, i publikuar ditë më parë, ngërthen koordinimin ndërkombëtar, që, sipas tij, viteve të fundit nuk është parë. Ai ka apeluar që vëmendja ndërkombëtare duhet të shfrytëzohet maksimalisht.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani duhet ta marrin seriozisht këtë situatë dhe të shprehin kërkesën për ta diskutuar në mënyrë që të arrihet te marrëveshja finale me njohje të ndërsjellë.

“Plani franko-gjerman më vete ngërthen mbi të gjitha një koordinim ndërkombëtar që s’e kemi parë në raport me Kosovën qe shumë vjet. Pra, në kohën kur vëmendja e diplomacisë botërore është e koncentruar në Ukrainë dhe në zhvillimet globale, ky koordinim me SHBA-së dhe BE-së në raport me Kosovën dhe interesimin për ta dërguar në një nivel të ri dialogun Kosovë-Serbi, duhet të merret shumë seriozisht, sepse nuk ndodh shpesh që ta kemi këtë vëmendje dhe interesim ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të shprehë gatishmërinë për t’u angazhuar dhe negociuar tekstin.

Krasniqi tha se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se as Kurti nuk do t’i bëjë katër vjet qeverisje.

Shkuarja në zgjedhje, sipas tij, do të mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri Kurti dorëhiqet dhe se PDK-ja është e gatshme ta marrë udhëheqjen e vendit.

Duke folur për formimin e Asociacionit, ai potencoi se askush nuk kërkon nga Kosova që ta krijojë një Republika Sërpska.

“Askush nuk ka kërkuar, as në të kaluarën nga Kosova që të krijojë Asociacion që nuk është në pajtim me Kushtetutën. Kryeministri Kurti duhet ta trajtojë seriozisht këtë koncentrim të interesimit dhe të ndihmesës ndërkombëtare te angazhohet në diskutim të planit dhe t’i shprehë qëndrimet e Kosovës duke përfshirë edhe Asociacionin. Por gjithsesi në pajtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pa e rrezikuar karakterin unitar të shtetit tonë, sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Krasniqi.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ditë më parë tha se plani franko-gjerman është i papranueshëm, mirëpo njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi vlerësojnë se plani është ende aktiv dhe në tryezë të palëve.

Ata kanë thënë se konsultimet e nivelit më të lartë politik për të po vazhdojnë, por Serbia mund të adresojë kushte për shkak të gjendjes në veri.

Njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, ka thënë për KosovaPress se në fazën aktuale plani franko-gjerman për dialogun është opsion real për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Konsultimet e nivelit më të lartë politik në kuadër të dialogut po vazhdojnë. Plani franko-gjerman është ende aktiv dhe në tryezë të palëve. Është bërë mirë që Kosova nuk nxitoi për të kthyer përgjigje në publik, por i ka deponuar mendimet e saj te Gjermania dhe Franca. Ende nuk dimë se çka përmban ai plan, por me aq sa kemi kuptuar përmes mediave dhe burimeve të ndryshme, për këtë fazën që jemi tani mund të vlerësohet si një opsion real për të kaluar një problem që e kemi në vazhdim e sipër, duke pasur parasysh edhe rrethanat gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë”, ka theksuar Raci.

Më skeptik për planin franko-gjerman është njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ai thotë se plani franko-gjerman është ende valid, mirëpo për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe braktisjes së institucioneve nga serbët, ai është vendosur në plan të dytë.

“Nëse pala kosovare ka pranuar planin, por njëjtën kohë ka marrë këtë vendim (për targa), diçka nuk po përputhet në këtë mes. Nëse ne kemi pranuar planin, ne jemi pala fituese, por pala fituese nuk bën probleme për me e zbeh problemin... Plani nuk bie, por tashmë pala serbe ka kushte, Serbia thotë se njëherë duhet të plotësohen kushtet, sepse gjendja në terren është e rrezikshme dhe t’i nuk mund të flasësh për planin derisa nuk e zgjidh çështjen në terren”, ka thënë ai.

Arifi u shpreh kritik ndaj ekzekutivit që nuk e ka shtyrë me kohë vendimin për targat, pasi tani vlerëson se kërkesat e SHBA-së janë eksplicite.

Krerët institucionalë në Kosovë janë shprehur në favor të planit franko-gjerman për dialogun.