Arbëri

GAP-i rekomandon të hiqet tatimi për gazin dhe peletin, të miratohet paga e re minimale

Instituti GAP ka publikuar një raport për ndikimin e inflacionit në kontrollin e çmimeve të produkteve, ndërsa ka bërë disa rekomandime për Qeverinë se si të luftohet ndikimi i inflacionit.

Sipas Institutit GAP është shumë me rëndësi që Qeveria, krahas masave aktuale që ka marrë, duhet ta miratojë edhe pagën e re minimale.

“Miratimi i pagës së re minimale do të ndikonte te rreth 106 mijë punonjës të sektorit privat. Po ashtu Qeveria e Kosovës duhet: të hartojë e zbatojë politika të qëndrueshme për rritje të prodhimit vendor në mënyrë që të ulet varësia nga importi, të marrë vendime për kursimin e energjisë elektrike edhe në sektorin privat dhe në vazhdimësi të ndajë mjete për iniciativat që mbështesin rritjen e efiçiencës në konsum të energjisë nëpër shtëpi; të konsiderojë lirimin nga obligimet tatimore për gazin e peletin, çmimet e të cilave parashihet të kontrollohen përmes ligjit të ri, si dhe të miratojë dhe fillojë së zbatuari Strategjinë e re të energjisë 2022-2031”, thuhet në rekomandimet e GAP.

Në gjetjet Institutit GAP thuhet se gjatë kontrollit të çmimit të naftës është vërejtur një lëvizje e sinkronizuar e çmimit të naftës me pakicë në Kosovë dhe asaj në berzë. Por, nga GAP është thënë se efekti i kontrollit të çmimeve është i kufizuar vetëm në periudhë sa janë rregullat në fuqi.

“Kurse, përdorimi i kontrollit të çmimeve si instrument për uljen e inflacionit del të jetë jo-efektiv, meqë pas heqjes së kufizimeve, çmimet kanë tendencë të rriten menjëherë”, thuhet nga GAP. “Nëse problemi me inflacionin shndërrohet në problem afatgjatë, politika e kontrollit të çmimeve mund të dëmtojë sektorët e ndikuar, siç tregojnë gjetjet nga vendet e tjera të cilat kanë aplikuar masa të ngjashme”.

Ndërkohë është thënë se zbatimi i formave tjera të ndihmës ndaj qytetarëve, siç po propozohet me uljen e normave tatimore apo heqjen e TVSh e akcizës për disa produkte, mund të ketë ndikim buxhetor nga 205 deri 246 milionë euro në gjashtë muaj apo rreth 455 milionë euro në vit.

“Ndër problemet kryesore me politika të tilla mbetet targetimi jo adekuat, si dhe ndikimi në rritje artificiale të konsumit. Qeveria duhet të tentojë të zgjidhë edhe burimin e krizës, e që në fushën e energjisë nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Një hap në këtë drejtim do të ishte miratimi dhe zbatimi i Strategjisë së re të energjisë 2022-2031”, thuhet nga GAP.