Arbëri

Opozita proteston sot në Tiranë

Forcat opozitare në Shqipërisë, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Partia e Lirisë do të protestojnë të shtunën në Tiranë.

Sipas tyre, arsye e protestës është “gjendja katastrofale nga vjedhjet e papërmbajtura të pasurive publike, vjedhjet e buxheteve familjare nëpërmjet çmimeve të larta, pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri”.

Policia e Shtetit ka njoftuar masat e marra, lidhur me protestën e thirrur nga opozita në orën 16:00.

Sipas policisë do të ndalohet qarkullimi në disa akse rrugore në qendër të Tiranës. Bllokimi do të nisë në orën 15:00, një orë para se të nisë protesta e ndërsa do të zgjasë për të paktën deri në orën 20:00.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, deri në përfundim të tubimit, janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D'Ark" dhe bulevardi "Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”./ksp