Arbëri

Vuçiq: Na pret periudhë e ndërlikuar, Kurtin e mbështesin gjermanët dhe britanikët

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbinë e pret një situatë e ndërlikuar pas 21 nëntorit, pasi siç ka thënë, gjermanët dhe britanikët e mbështesin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiqi e ka bërë këtë deklaratë të premten në Paris, pas takimeve që ka pasur me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

"Britania e Madhe nuk është pjesë e BE-së, Gjermania është, dhe Prishtina ka mbështetjen e Gjermanisë. Ata duan t'i ndihmojnë në çdo mënyrë dhe nuk u intereson shumë që mund të shkaktojnë skandale dhe të veprojnë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Jam shumë skeptik. Është e qartë se gjermanët janë ata që u japin mbështetje brenda BE-së, ndërsa jashtë BE-së është Britania e Madhe. Borrelli dhe Lajçaku më kanë treguar për bisedën me Kurtin dhe nuk kanë qenë aspak optimistë. Është e vështirë të gjesh një propozim racional, e di kush e ka fajin dhe ai ka mbrojtjen e shumë të fuqishmëve, mund të bëjë çfarë të dojë, por gjithmonë do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe”, ka thënë Vuçiqi, raporton KosovoOnline.

Sipas tij, Prishtina synon të vazhdojë të përdorë forcën, të vazhdojë të keqtrajtojë popullin serb, por se Serbia nuk do të heqë dorë nga asgjë e saj.

Duke folur për një zgjidhje të mundshme të situatës, Vuçiqi ka thënë se është e vështirë të gjesh propozim kur e di se aty është Kurti dhe kur ai ka mbrojtjen e vendeve të forta.

Ndërkaq, duke komentuar shpalljen e zgjedhjeve nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për katër komuna në veri të Kosovës, Vuçiqi ka thënë se Kosova do t’i dëbojë serbët nga veriu i Kosovës.

"Ata nuk duan fare të kenë serbë në sistemin e tyre. Kjo tregon se sa duan të shkaktojnë incidente dhe kaos. Është e qartë se ata po përgatiten për këtë", tha Vuçiq.