Arbëri

Çitaku e quan diplomaci për fillestarë postimin e Kurtit për vizitën e tij të tretë në Elysee

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, njëherësh ish-ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka reaguar për shkrimin e kryeministrit Albin Kurti sa i përket vizitës së tij të tretë brenda dy vitesh në Elysee të Francës.

Çitaku e ka quajtur diplomaci për fillestarët qasjen e Kurtit sa i përket vizitës së zhvilluar të enjten në Paris, ku u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Për herë të tretë brenda dy viteve ne Elysee, tha Kryeministri me mburrje. Kryeministër, dy nga këto tri herë kanë qenë pritje për të gjithë udhëheqësit e shteteve (përfshirë Vuçiçin) si pjesë e konferencave ndërkombëtare”, ka shkruar më tej Çitaku në Facebook.

Duke e cilësuar si mburrje, Çitaku ka thënë se shkrimi i Kurtit është për keqardhje.

 

Kurti pas takimit me Macronin, ka shkruar në Twitter se të enjten ishte hera e tretë e tij brenda dy vitesh në Elysee.

Në këtë shkrim ai ka falënderuar Macronin për propozimin franko-gjerman, si bazë e mirë për bisedimet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.