Arbëri

Hasani: S’ka tendencë për shkëputjen e veriut nga Kosova

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se nuk ka tendencë për ndarjen apo shkëputjen e veriut të Kosovës.

Hasani të enjten në emisionin “Desku” të KTV-së, ka thënë se qëllimi i serbëve është që krijohet një ndikim në veri të Kosovës, në mënyrë që më pas të mund të ndikohet në paralizimin e strukturave qendrore të pushtetit të Kosovës.

“Është vështirë të shpjegohet realiteti i ri i krijuar në veri me terma juridik kushtetues por vetëm në terma politik. Mënyra se si ka ndodhur ajo është frikësuese pasi shihet një homogjenizim i serbëve lokalë mbi baza të njëjta, esencialisht siç ka qenë në atë kohën pak para se me rrënu strukturat e asaj që quhej atëherë, autonomi. Kjo nuk është tendencë për shkëputje ose ndarjen e veriut, por është synim i qartë për të krijuar një vlerë ndikimi në veri të Kosovës, në mënyrë që pastaj të ndikohet në paralizimin e strukturave qendrore të pushtetit në Kosovë. Ky është shqetësimi më i madh”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, problem tjetër me veriun aktualisht është çështja e sigurisë.

“Unë besoj shumë që dhuna në shkallë të lartë nuk mund të vijë për shumë arsye që janë të dukshme, por që dhuna sporadike me një qëllim të caktuar, radikalizimi i mëtejmë dhe kompromentimi i pushtetit qendror në Kosovë mund të ndodhë, sepse është shumë e lehtë të besohet se mund të ketë sulme edhe ndaj pranisë ndërkombëtare në atë pjesë të Kosovës. Serbët atje përbëjnë një shumicë homogjene dhe kanë prapa kufirin e shtetit serb. Gjendja se si ka ardhur deri te pezullimi i pushtetit, përveç që është e keqe për Kosovën, imazhin e saj, është e keqe edhe për serbët lokalë, sepse në gjykatat në veri janë dosjet e krimit që kanë qenë në proces e sipër”, është shprehur Hasani.

Ai ka shtuar se problemi pse po ndodh kjo në veri, nuk qëndron te targat ashtu siç pretendohet, por tek Asociacioni në rend të parë.