Arbëri

Avokatët e të akuzuarve për rastin “Toka 2” kërkojnë përjashtimin e dëshmisë së dëshmitarit

Dëshmia e Vehap Hashanit, nëpunës i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk është dëgjuar në procesin gjyqësor rreth rastit “Toka 2”, pasi trupi gjykues miratoi kërkesën e prokurores Merita Bina-Rugova për ndërprerje të seancës.

Në këtë rast, Prokuroria Speciale i akuzon Mehmet Prishtinën, Dukagjin Emërllahin, Nexharije Hotin dhe Avni Maxhunin për krim të organizuar në transferimin e paligjshëm të pronave, për të cilat ishin në dijeni se janë fituar kundërligjshëm.

Kërkesën për shtyrje, prokurorja Bina-Rugova e bëri pasi që pretendoi se i duhet kohë për shqyrtimin e një rasti tjetër. Ndërkaq, avokatët e të akuzuarve e kundërshtuan shtrimin e pyetjeve rreth dëshmive që dëshmitari i kishte dhënë në kohën sa e kishte statusin e të dyshuarit.

“Po, po e kundërshoj, ja përse. Sepse të gjitha deklaratat dëshmitari Vehap Hashani i ka dhënë në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 132, paragrafi 6 të KPRK-së, që do të thotë, në të gjitha ato deklarata nuk ka marrë pjesë klientja ime e as të tjerët natyrisht, po poentën e kam te klientja ime, e as mbrojtësja e saj”, tha Sadije Mjekiqi, avokate e të akuzuarës Nexharije Hoti.

“Paraprakisht kërkoj nga trupi gjykues që të bëjë veçimin e deklaratave të dhëna në cilësinë e të dyshuarit”, tha Skender Musa, avokat i të akuzuarit Mehmet Prishtina.

Pas kësaj, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të mbahet më 9 dhjetor.

E prokurorja Bina-Rugova informoi se rasti tjetër për të cilin e adresoi kërkesën për shtyrje të kësaj seance ndërlidhet me arrestimin e 14 personave, gjatë së martës.

“Parëz e kam marrë një informatë nga zyra ime se na ka dalë një problem i vogël të cilin më duhet ta zgjidhim, ashtu që e kisha lutur trupin gjykues që këtë shqyrtim kryesor ta shtyjë për një datë tjetër”.

Në rastin “Toka 2”, ish-gjyqtarja komunale në Prishtinë, Nexharije Hoti, akuzohet për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore e keqpërdorim të detyrës zyrtare, Mehmet Prishtina e Dukagjin Emërllahi për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale. E për shpëlarje të parave, krah Emërllahit e Prishtinës akuzohet edhe Avni Maxhuni.