Arbëri

Zhurmë në Kuvendin e Serbisë për Radoiçiqin e Veselinoviqin

Kuvendi i Serbise - debati per Zvonko Veselinoviqin e Milan Radoiçiqn

Të martën në Kuvendin e Serbisë është debatuar për rishikimin e buxhetit, ndërsa ka pasur diskutime të ashpra mes deputetit opozitar Borislav Novakoviq dhe ministrave të Qeverisë së Serbisë, raporton “Kossev”.

Novakoviq ka thënë se punët më fitimprurëse Qeveria e Serbisë ua jep kompanive të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoçiqit, që janë me origjinë nga Kosova, e të cilët janë të sanksionuar nga Thesari i SHBA-së. Ai ka thënë se emrat e të dyve janë të përfshirë edhe në aktakuzën e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq.

Novakoviq ka thënë se të dy janë “udhëheqësit e grupit më të madh kirminal në Serbi”.

Ndërkohë ministrat dhe deputetët e pushtetit kanë hedhur poshtë akuzat ndaj Radoçiqit dhe Veselinoviqit.

Ata kanë akuzuar opozitën se po flet si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe se me këtë edhe po e akuzon popullin serb në Kosovë.

Novakoviq gjatë debatit tha se kompanitë e Radoçiqit dhe Veselinoviqit si “Inkop”, “Granit Peshçar”, “Novi Pazar put”, po gjejnë vende të shumta pune në Novi Sad të cilat paguhen me miliona nga buxheti.

“A mendoni se është normale që kur bëhet fjalë për kompanitë kineze, e keni parë në Korridorin 10 firma kineze Shan Dong që kryen punimet në sfond ka një kontraktues që quhet INKOP, pra është fjala për kompaninë e Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoçiqit. Bëhet fjalë për persona që janë karakterizuar nga institucionet kompetente ndërkombëtare si anëtarë të grupit më të fortë kriminal në këtë pjesë të Evropës. Këta janë njerëz që janë nën sanksione ndërkombëtare. Askush nuk mund të bëjë biznes me kompanitë e tyre dhe nëse ekspozojnë pronën e tyre ajo do të konfiskohet. A mund të shkojnë mjetet buxhetore për kompanitë e Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoçiqit?” – ka pyetur Novakoviq.

Ndërkohë zëvendëskryeministri i Serbisë, Sinisha Mali, njëherit edhe ministër i Financave, nuk dha përgjigje konkrete. Por, për kritikat ndaj bizneseve kineze, ai tha se është “si të dëgjosh Albin Kurtin”.

“Por, ai zë është edhe kundër Serbisë dhe zërit të disa tjerëve që flasin nëpërmjet atyre njerëzve. Ne do të luftojmë për popullin tonë në Kosovë e M.”, tha Mali.

E sërish ka reaguar Novakoviq.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet përkatëse deklarojnë qartë se ky është grupi më i madh kriminal në këtë pjesë të Evropës, që ka korruptuar zyrtarë të sigurisë në Serbi dhe Mal të Zi, kryen tregti të paligjshme të mallrave, të armëve dhe narkotikëve, atëherë janë akuzat më të rënda. Institucionet relevante ndërkombëtare shkruajnë për Zvonko Veselinoviqin e Milan Radoçiqin. Si munden kompanitë e tyre të nxjerrin para nga buxheti? Përgjigjuni në këtë, e jo të më flisni se me këtë mbrojmë popullin serb në Kosovë. Ne vërtetë mendojmë pikërisht për popullin tonë, që t’i mbrojmë nga njerëz të tillë”, tha Novakoviq.

Aleksandar Martinoviq, nga pozita e ministrit për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, i ka thënë Novakoviqit se po i krminalizon dy persona që jetojnë në Kosovë, ngjashëm siç po bëjnë armiqtë e Serbisë që duan ta ndajnë Kosovën.

“Kjo që po bëni ju tash, të kriminalizoni dy persona që jetojnë në territorin e Kosovës e M., të njëjtën gjë e bën edhe Albin Kurti. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe armiqtë e shtetit të Serbisë dhe të gjithë ata që përpiqen në çdo mënyrë ta ndajnë Kosovën e M. nga Serbia. A ka kriminelë në mesin e shqiptarëve? A ka ndonjë kriminel mes anëtarëve të një kombi tjetër që jeton në këto zona? Si ka mundësi që vetëm serbët janë kriminelë? Ju kapni dy burra dhe përsëritni furishëm se si ata janë kriminelët më të mëdhenj dhe çfarë thanë disa institucione relevante ndërkombëtare. Unë po ju pyes, cilat institucione? Kush tha? Zonja Von Cramon, të cilës po ia rrisin rrogën? Cili institucion ndërkombëtar tha se këta dy njerëz janë kriminelët më të mëdhenj në tokë?” – ka thënë Martinoviq.

Novakoviq më pas tha se Veselinoviq nuk është në Kosovë, por në Novi Sad dhe se orkestron skenën e krimit nga atje.