Arbëri

Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, anulohen gjashtë seanca

Për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të martën janë anuluar gjashtë seanca, të caktuara të mbahen këtë ditë në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal.

Gjyqtarët dhe stafi administrativ serbë të hënën kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor i paraparë të mbahet sot, në rastin ku i akuzuari Driton Latifi po akuzohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, është anuluar për shkak të mungesës së gjyqtarit të rastit, Radosllav Markoviq.

Ndërsa, edhe gjyqtarët Veljko Vuqetiq, Dragica Jakovljeviq dhe Dragana Nikoliq kishin caktuar seanca gjyqësore për ditën e martë, por të njëjtat janë anuluar për shkak të mungesës së tyre.

Tutje, gjyqtari Mentor Hajraj ka anuluar një rast “Vrasje në tentativë”, pasi në përbërjen e trupit gjykues ka munguar gjyqtari nga komuniteti serb, Zoran Paviq.

Gjyqtari Hajraj tha se të gjitha palët janë njoftuar paraprakisht për shterjen e seancës së sotme.

Po ashtu, edhe gjyqtari Gëzim Ademi në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal, ka shtyrë seancën e paraparë për të martën për shkak të mungesës së prokurores nga komuniteti serb, si dhe për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Zyrtari për informim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, për “Betimi për Drejtësi”, të hënën tha se prokurorët serb të kësaj prokurorie i kanë dorëzuar dorëheqjet përmes email-it në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa stafi adminstrativ serb dorëheqjet i kanë dorëzuar në administratën e prokurorisë.

Ndryshe, sipas Raportit Vjetor për vitin 2021 të Prokurorit të Shtetit, numri i prokurorëve të komunitetit serb është 14 apo shprehur në përqindje i bie diku 7.69%. Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë rreth 19 gjyqtarë serbë.

Edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe e kanë dorëzuar të hënën mandatin e tyre edhe formalisht në Kuvnedin e Kosovës.

Ky largim i tyre, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. /BpD