Arbëri

Situata në veri, Kurti fton opozitën në takim

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën u ka bërë ftesë liderëve të partive opozitare në vend për t’u takuar të martën në orën 08:00.

Ftesës i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Ky takim është thirrur nga Kurti për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit.

“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Temë diskutimi janë zhvillimet në vend, veçanërisht ato në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Lulzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.

KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe nga Zyra e Kryeministrit, por palët nuk kanë qenë të qasshme.

Pas suspendimit të drejtorit rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, për shkak të mosrespektimit të vendimit që është marrë nga Qeveria sa i përket targave, tensionet në veri u rritën.

Përfaqësuesit serbë vendosën t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës, duke dhënë dorëheqje nga pozitat që mbanin brenda tyre.

Dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.