Arbëri

Daçiq: Perëndimi tregon dobësi nëse s'mund ta ndalë Kurtin

Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nëse vendet perëndimore nuk mund të merren me kryeministrin Albin Kurti, ato sipas tij, ose janë të pafuqishme ose “tregojnë se kanë marrëveshje të heshtur me të”.

Daçiq tha për RTS-në se askush në Serbi nuk beson se BE-ja dhe Perëndimi “nuk mund të merren me kryeministrin Kurti”.

Ai ka shtuar se duhet "të bien maskat" dhe të shihet nëse ka ekzistuar Marrëveshja e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.

"Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk mund t'i japin fund Kurtit, atëherë kjo është ose nga pafuqia e tyre, ose nga pëlqimi i tyre i heshtur. Unë i them BE-së se është obligim i tyre ta formojnë Asociacionin, jo vetëm obligim i Kurtit. Ne do të donim që e tërë kjo situatë të zgjasë sa më shkurt. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen, për të protestuar në mënyrë paqësore", tha ai.

Të hënën, deputetët serbë i dorëzuan dorëheqjet e mandateve të tyre.