Arbëri

Kirurgjia Abdominale vazhdon të zbrazet nga profesionistët, Sallahu thotë se MSH-ja s’po i zëvendëson

Që nga viti i kaluar e deri më tash, katër kirurgë janë larguar nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në QKUK në drejtim të sektorit privat, ndërsa stafi mbështetës po largohet drejt vendeve perëndimore, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Kirurgjisë Abdominale në QKUK, Ferat Sallahu, tha për Ekonomia Online, se interesimi i mjekëve për ta lënë punën në QKUK është rritur, ndërsa thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk po i plotëson këto vende.

“Nga viti i kaluar janë larguar nga klinika ime katër kirurgw, kanë gjetur vende që iu është shpërblyer më shumë puna, dhe realisht kanë gjetur kushte më të përshtatshme, kështu që në Klinikën time kemi jashtëzakonisht lëvizje të personelit të mesëm, sepse në kushtet që është një pagë minimale, nuk mundet as nevojat elementare me i plotësu në familje, kështu që institucionet shtetërore në vend që të na pwrkrahin, prapë po shohim se po na anashkalojnw”, tha Sallahu për EO. “Gjatë periudhës së pandemisë kemi pasur staf mbështetës, mirëpo me skadim të kontratës edhe atyre iu ka ndërprerë kontrata, kështu që jemi në hendikep të madh me personel. Në klinikën time kemi nevojë edhe për 18 deri në 22 punonjws, që të mundemi t’i kryejmë me sukses të gjitha shërbimet ndaj pacientit”.

Sfidë në këtë Klinikë është edhe ikja e infermierëve, për të cilën thotë se ndryshe nga mjekët, infermierët po largohen jashtë shtetit./EO