Arbëri

Trajkoviq: Vuçiqi është njeri i shantazhuar

Kryetarja e “Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe Metohia”, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se bashkësia ndërkombëtare sakrifikoi demokracinë në Serbi për hir të dialogut në Kosovë dhe se presidenti Aleksandar Vuçiq është një "njeri i shantazhuar" nga i cili bashkësia ndërkombëtare pret të nënshkruajë atë që është premtuar.

Trajkoviq është e mendimit se nënshkrimet e fundit të kryeministres Ana Brnabiq për tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit janë problematike, sepse Kosova trajtohet si shtet i pavarur në kuadër të kësaj nisme.

“Në thelb ajo si kryeministre krijoi një problem madhor shtetëror. Ne e dimë që Vuçiqi nuk është paraqitur në Berlin, deklaratat e tij që dëgjojmë (se i ka anuluar të gjitha vizitat jashtë vendit), mendoj se është një njeri shumë i shantazhuar dhe thjesht nuk mund të paraqitet tani në ato takime zyrtare, sepse atë që presin të gjithë ne i dimë - premtimet dhe nënshkrimet e tij që bashkësia ndërkombëtare realisht nuk i fal”, ka thënë Trajkoviq për N1.

Po aq problematik, sipas saj, është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “po bën luftë institucionale kundër serbëve” dhe po ua heq të drejtat.

Ajo shtoi se atmosfera në Kosovë i kujton fillimet e kriminelit Sllobodan Millosheviqit, “kur krahinës jugore iu hoqën kompetencat dhe të drejtat, gjë që i shtyu shqiptarët në izolim dhe paralelizëm, që përfundimisht rezultoi me paraqitjen e luftëtarëve të UÇK-së”.

“Gjithçka që po ndodh tani përkujton në një masë të mirë diçka që paralajmëron se diçka e keqe do të ndodhë në Kosovë. Viktima do të jenë të pafajshmit”, ka thënë ajo.

“Ju mund të shihni njerëz të armatosur në veri, situata është kaq e rëndë... Është e thjeshtë, nga ky këndvështrim mendojmë se gjithçka është një farsë, por kur futni disa organizata paraushtarake në një zonë, kur futni armë brenda, unë nuk e di nëse do të jetë kaq e lehtë të ikësh jashtë Kosovës, por mendoj se situata është shumë më serioze nga sa mund të supozojmë”, paralajmëroi ajo.

Nga gjithçka, megjithatë, ajo konstaton se ka mundësi që, siç tha ajo, të ketë një marrëveshje të fshehtë mes Vuçiqit dhe Kurtit për prishjen e Marrëveshjes së Brukselit.

“Atyre u përshtatet prishja e Marrëveshjes së Brukselit dhe mendoj se është realitet. Tani si të reja po flasin për iniciativën gjermano-franceze”, ka thënë Trajkoviq, por gjithashtu shtoi se nuk beson se kjo nismë do të japë fryte, sepse as Beogradi dhe as Prishtina nuk do ta pranojnë.

Ajo mendon se lufta në Ukrainë e ka preokupuar bashkësinë ndërkombëtare me probleme të tjera, kështu që dialogu për Kosovën për momentin është “ende diku në periferi”.