Arbëri

Osmani premtoi përkrahje të shëndetësisë publike, 2 javë më vonë zgjodhi të trajtohet në privat

Descriptive Text

Një ndërhyrje të thjeshtë që bëhet në të gjitha spitalet publike në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani zgjodhi që ta kryejë në një spital privat e jo në publik. Një gjë të tillë e kanë konsideruar injorim e ofendim kirurgët e QKUK-së. Dy javë me parë Osmani, gjatë një vizite në QKUK, tha se shëndetësia publike duhet të jetë prioritet, por nuk ka sqaruar ende se pse zgjodhi privatin për këtë ndërhyrje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ia ka besuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjike.

Largimin e tëmthit apo siç njihet në zhargonin popullor idhëz, të mërkurën në mbrëmje, presidentja e ka bërë në një spital privat.

Sikurse edhe me herët kur kishte bërë një ndërhyrje në Turqi, Osmani fillimisht ka tentuar ta fshehë ndërhyrjen. Pas raportimit të mediave, zyra e saj kanë dalë me një konfirmim.

“Zyra e presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, ka thënë Presidenca.

Nuk kanë treguar se ku është kryer ndërhyrja e kanë folur për rëndësinë që presidentes t’i ruhet privatësia.

Presidentja Osmani, më 19 tetor, kishte vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Nga aty fliste se si shëndetësia publike duhet të jetë prioritet.

“Do të bëjmë çmos që kushtet në këtë klinikë të përmirësohen që puna e tyre të lehtësohet, që sukseset në parandalim dhe jetëgjatësi të rriten sepse, siç tha një doktor, kur pacientët vijnë këtu nuk ankohen që s’ka asfalt. Kështu që lë të jetë një mesazh për të gjithë ata që në fundvit vendosin se kujt t’i jepet përparësi sa i përket buxhetit shtetëror, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë. Andaj bëj thirrje që asgjë të mos jetë prioritet më i madh sesa shëndetësia në vendin tonë”, pati thënë ajo.

Stafi i sistemit publik e duartrokiste në premtimet e saj për angazhim në shëndetësinë publike.

Dy javë me vonë Osmani e zgjodhi një institucion privat, i licencuar si spital i përgjithshëm në vitin 2018 apo 19 vjet më vonë që kur QKUK-ja nisi me largimin e tëmthit.

Mjekët e Klinikës së Kirurgjisë përmes një komunikate për media thanë që ndihen të ofenduar e të injoruar nga presidentja Osmani.

“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilin udhëheq është i papranueshme për të gjithë. Duke i dëshiruar shëndet të plotë presidentes, Vjosa Osmani, urojmë që raste të tilla të mos përsëritën kur institucionet zyrtare anashkalojnë institucionet shëndetësore publike”, thuhet në reagim.

E drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, shembullin e Osmanit e ka cilësuar si mesazh të keq për qytetarët e QKUK-në.

“Jemi jashtëzakonisht të indinjuar për këtë anashkalim, për shkak se këtu bëhet një punë e madhe dhe një sakrificë e jashtëzakonshme dhe me një shpërblim minimal për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve dhe shembulli i presidentes Osmani është jo i mirë për gjithë qytetarët, për shkak se ‘mosbesimin’ që e ka pasur presidentja është një mesazh i keq për qytetarët për QKUK-në”, ka thënë Sallahu.

KOHA ka kontaktuar Presidencën e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë e ShSKUK-në, por asnjëri nga institucionet nuk është e përgjigjur.

Sektori i shëndetësisë është një nga fushat për të cilat ka pasur me së shumti kritika Qeveria Kurti 2. Ekzekutivi ende nuk ka asnjë sukses konkret në këtë fushë edhe pas gati 2 vjet qeverisjeje.