Arbëri

Kryetari mund të zgjidhet me votim të fshehtë

Descriptive Text

Ditën e 3 gushtit do të vendoset nëse kryetari do të votohet në mënyrë të fshehtë apo të hapur.

Albert Krasniqi, që monitoron punën e Kuvendit, ka shpjeguar rrjedhën që mund ta ketë seanca konstituive.

Sipas tij, ligjvënësit kanë lënë të hapur mënyrën e votimit të kryeparlamentarit, që mund të jetë përmes ngritjes së dorës, apo e fshehur, përmes votimit në kuti të votimit. Në PDK nuk kanë treguar nëse janë duke e konsideruar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Për të realizuar votim të fshehtë, fillimisht duhet të ketë një propozim nga njëri prej grupeve parlamentare, dhe më pas të hidhet në votim ky propozim i cili kërkon shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Nëse në seancën konstituive nuk marrin pjesë të gjithë deputetë, pragu prej 61 votave mund të ulet. Që nënkupton se nëse mungojnë tre deputetë nga LVV dhe LAA, koalicioni PAN mundet me 59 vota që ka në Kuvend ta shtyj përpara këtë propozim”, ka thënë Krasniqi, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, qëllimet prapa këtij propozimi mund të jenë të zvogëlojnë presionin që mund të bëhet ndaj deputetëve të krahut tjetër që mund të votojnë për kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit, por edhe për kryeministër.

Si kundërpërgjigje ndaj kësaj situate, Krasniqi ka thënë se mund të jetë braktisja e seancës nga deputetët e LVV-së dhe LAA-së, në mënyrë që të pamundësojnë votimin pasi në sallë nuk mbesin 61 deputetë, numër ky i nevojshëm për të siguruar kuorumin.

“Po ashtu, përmes braktisjes së seancës mund të zbulojnë edhe se cilët janë deputetët e tyre që kanë kaluar në kampin tjetër, nëse të njëjtët nuk largohen nga salla. Duhet theksuar se praktikat e deritanishme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të kryeministrit kanë qenë me votim të hapur”.

Se mund të ketë përpjekje nga PAN-i që votimi i kryetarit të Kuvendit të zhvillohet në mënyrë të fshehtë kanë thënë edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi i fshehtë është forma më e lehtë për blerjen e deputetëve.

Ndërsa Vjosa Osmani nga LDK-ja ka deklaruar se deputetët e koalicionit LAA nuk kanë asnjë arsye për ta fshehur votën.

“Votimi i fshehtë nuk mund të bëhet pa votën tonë. Më e mira do të ishte të respektohet praktika e mëhershme parlamentare, përfshirë ajo e vitit 2014, ku secili deputet ka votuar hapur, sepse as nuk i kemi kartelat të votojmë në mënyrë elektronike. Secili deputet duhet ta tregojë fytyrën e vet para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Detaje të tjera mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.