Arbëri

Krasniqi: Partia fituese s’mund të abuzojë me të drejtën që buron nga Kushtetuesja

Njohës të rrethanave politike e të procedurave të Kuvendit në Kosovë kanë thënë se partia fituese nuk mund të abuzojë me të drejtën që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se meqë Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë të drejtën vetëm grupit parlamentar që ka dalë i pari në zgjedhje, jo fituesit, pasi që fituesi është grupi që ka shumicën parlamentare - të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, deputetët duhet të gjejnë zgjidhje për të konstituuar Kuvendin.

“Me konsensus nuk nënkuptohet që vetëm deputetët e LVV-s dhe të LAA-s të bëjnë kompromis për kandidatin e PAN-it, por që edhe kjo e fundit të bëjë kompromis për të propozuar një kandidat të pranueshëm prej shumicës së deputetëve. Tekefundit, kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin dhe flet në emër të 120 deputetëve, prandaj ky person duhet të jetë i pranueshëm për shumicën e jo që t’ju imponohet vetëm një kandidat duke abuzuar me këtë të drejtë të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, është tejet e rëndësishme që seanca e 3 gushtit të përfundojë me konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.

“Deputetët e zgjedhur duhet të tregojnë maturi, të respektojnë normat ligjore dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes zgjedhjeve. Këmbënguljet për të qëndruar në pushtet përkundër mungesës së shumicës parlamentare, janë tejet të dëmshme dhe e kthejnë vendin mbrapa në shumë aspekte. Në seancën konstituive, interesat shtetërore duhet të triumfojnë mbi ato individuale dhe partiake”, ka shtuar Krasniqi.