Arbëri

Skeja: 40 njerëz u vetëvranë vjet në Kosovë

Blind Skeja nga platforma “Linja e Jetës”, deklaroi se vitin e kaluar, 40 persona kanë kryer vetëvrasje, e mbi 100 të tjerë kanë tentuar.

Ai deklaroi se të dhënat e përgjithshme thonë se në Kosovë deri më tani kanë kryer vetëvrasje rreth 1000 persona, e 3000 të tjerë kanë tentuar.

Ai tha në Sonte me Rronin të KTV-së të mërkurën se nisma “Linja e Jetës” ka filluar në nëntorin e vitit 2019, me qëllim që njerëzit që kanë mendime për vetëvrasje, të gjejnë ndihmë.

“Deri më tani i kemi arritur mbi 5 mijë telefonata. Sa i përket nivelit të fundit, ne jemi linja e fundit e mbrojtjes e personave kur vjen çështja te vetëvrasja. Fusha e shëndetit mendor në Kosovë është jashtëzakonisht e mangët. Komuniteti LGBT është i ndikuar nga mendimi për vetëvrasje për shkak të diskriminimit që marrin. Duke i rregulluar ligjet dhe të drejtat, mund të ulet edhe numri për vetëvrasje. Personat me kancer që kalojnë vitin e parë të sëmundjes, kanë prirje për vetëvrasje. Veteranët janë të prirë për të bërë vetëvrasje për shkak të problemeve pasluftës”, tha Skeja.

Sipas tij, Policia e Kosovës nuk i ka të dhënat për të parë se cila gjini ka kryer më tepër vetëvrasje në Kosovë ndër vite.

Dren Puka nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF, deklaroi se po përgatisin një program për identifikimin e problemeve shoqërore, me theks të veçantë për problemet mendore.

Ai tha në Sonte me Rronn se për shëndetin mendor flitet pak në Kosovë, por që sipas tij, qytetarët nuk hezitojnë që t’i shprehin shqetësimet e tyre.

“Shëndeti mendor duket temë që pakkush mund të ketë mendim për të. Por, qytetarët mezi presin që të flasin për këtë. Po bëjmë një program për identifikimin e problemeve më të mëdha shoqërore, se çka po ndodh me ekosistemin e shëndetit mendor”, tha ai.