Arbëri

Sveçla kërkon të sillen para drejtësisë gjithë të përfshirët në sulmin ndaj të moshuarës në Pejë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë thirrje që të sillen para drejtësisë të gjithë personat e implikuar në sulmin ndaj një të moshuare në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

Sveçla ka thënë se e ka parë me shqetësim video e kësaj ngjarje.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Janë arrestuar dy të dyshuara në lidhje me rastin.