Arbëri

Lushaku-Sadriu për targat: Nuk mund të jetë vendim i duhur nëse nuk binden aleatët

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë parasysh kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare sa i përket vendimeve që merr, sikur ai për targat.

Në Interaktiv të KTV-së ajo ka theksuar si shumë të rëndësishme qëndrimin krah ndërkombëtarëve në vendimet që i merr Kosova. Ndërsa, ka shtuar se mund të ndryshojë përkrahja për Kosovën nga ndonjë prej shteteve nëse Qeveria nuk negocion me to paraprakisht.

Sipas saj, “nuk mund të jetë vendim i duhur nëse nuk binden aleatët”.

“Duhet t’i bindim partnerët ndërkombëtarët sepse një vendim është i drejtë dhe ka peshë vetëm kur ka mbështetje ndërkombëtare. Si shtet jemi në test ndërkombëtar të ushtrimit të ligjshmërisë dhe sovranitetit tonë si shtet duke i respektuar aleancat tona. Një vendim këtu mund të ketë edhe konsekuenca të mëdha në radhitjen e aleancave dhe vendimeve që mund të merren nga bashkësia ndërkombëtare”.

Lushaku-Sadriu ka thënë se në rast eskalimi të situatës për shkak të vendimit për targat do të ishte keq për Kosovën. Tha se nuk duhet të nxitet konflikt me vendime ku nuk konsultohen ndërkombëtarët.

“Çfarëdo të jetë niveli i eskalimit të situatës nëse bëhet është gjë e keqe për Kosovën. Nuk është e pranueshme që me vendimet tona të nxisim konflikte apo të hapim derën për eskalime. Duhet të jemi të sigurt për këta hapa sepse janë me impakte ndërkombëtare. Druaj se do shkojmë në një rrugë që më pas do të na lërë vetëm, dhe kjo nuk është në dëshirën tonë. Nuk duam që për pamaturinë e Qeverisë tonë të shkojmë në qorrsokak në të cilin as miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të na mbrojnë”.

Ajo ka thënë se vendimin për targat Qeveria e Kosovës e ka marrë me tendencën për ta ruajtur diskursin që e ka pasur si Lëvizje Vetëvendosje sa ishte në opozitë.

“E shoh si tendencë për ta ruajtur diskursin e njëjtë që ka përdorur. VV-ja ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha duke kritikuar marrëveshjet, premtimet kanë qenë aq të larta sa tash është aq vështirë që me mosimplementim apo bërje të kompromiseve e kupton si kthim prapa. Është çmimi që po paguan si rezultat i premtimeve që ka dhënë”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu ka kritikuar Qeverinë për mostransparencë me dialogun.