Arbëri

Kriza energjetike, temë në takimin e Bislimit me përfaqësuesit e FMN-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur në takim disa përfaqësues të misionit të FMN-së, të kryesuar nga shefi i këtij misioni në Kosovë, Gabriel Di Bella.

Në takim është diskutuar për krizën energjetike si dhe mënyrat se si ajo të tejkalohet nga Kosova. “Ky takim u realizua përgjatë takimeve të misionit me autoritetet në Kosovë. Gjatë takimit u diskutuan gjetjet e misionit në lidhje me Kosovën, të cilat pritet të publikohen së shpejti. Theksi kyç ishte në krizën e energjisë dhe mënyrat se si sfidat që ajo i sjellë do të mund të tejkalohen por edhe kthehen në mundësi për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Qeverisë.

Në njoftim theksohet se Bislimi i ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së për masat që ka ndërmarr Qeveria, për t’u përballur me krizën energjetike.

“Bislimi ndau me Misionin e FMN-së detaje nga masat e ndryshme që po i ndërmerr Qeveria për të lehtësuar krizën energjetike për qytetarët, një pjesë e të cilave tanimë do të financohet nga pakoja buxhetore e BE-së për Kosovën, në vlerë prej 75 milionë eurosh”, theksohet në njoftim.