Arbëri

PDK: Qeveria Kurti po e kap Administratën Publike

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se Qeveria Kurti është duke e kapur Administratën Publike dhe sipas tij, mijëra zyrtarë civilë rrezikojnë të largohen nga puna.

Ai tha të hënën në një konferencë për media, se ky veprim i Qeveris është antikushtetues dhe cenon procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi ai.

Sipas Grudës, nëpërmjet Projektligjit për zyrtarët publikë, Qeveria po e cenon edhe sigurinë juridike të shërbimit civil.

“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do të ju pushoj marrëdhënia e punës që kanë tani, për t'u zëvendësuar me militantë partiak.”, tha Gruda.

Sipas zyrtarit të PDK-së, nëse miratohet dhe zbatohet ky projektligj, administrata do të politizohet dhe do të hapet mundësia e korrupsionit.

“Po ashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit. PDK nuk do të lë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj qeverie për të vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, shtoi ai.