Arbëri

Tri ditë para përfundimit të afatit për targat, deputeti i VV-së kërkon të shtyhet edhe për dy muaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka propozuar shtyrje të afatit për targat me edhe dy muaj të tjerë.

Abazi ka thënë se parimi për targat është i drejtë, por ka shtuar se pozicioni i Kosovës duhet të kthehet në favor të interesit kombëtar.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, të martën, 25 tetor, pati deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për riregjistrimin e targave në RKS.

“Më shumë sesa targat e serbëve na duhet lëvizja e lirë dhe rikthimi i lëvizjes së qytetarëve tanë drejt Sarajevës. Më shumë se dy dekada qytetarëve tanë iu është ndaluar të udhëtojnë drejt Bosnjës dhe Hercegovinës. Propozoj që data për targa të bëhet 31 dhjetori. Kështu ia pamundësojmë kujtdo që ta sabotojë procesin e Berlinit dhe mundësinë që të krijojnë tensione në veri”.

Abazi ka shtuar se po tentojnë t’ia sabotojnë konferencën me mbledhjet e komisioneve në Kuvendin e Kosovës. Konferencat e Abazit janë bërë të përjavshme qysh prej 7 tetorit.

“Edhe pse po shihet që po tentohet të sabotohet kjo konferencë duke caktuar takime të komisioneve në ora 10:00”, tha ai.

Ndërkohë, ka folur edhe për Grupin e Gjelbër, të cilin e pati formuar vetë. Tha se në Kuvend po mundohen ta pengojnë formimin e këtij grupi dhe po i kërcënojnë anëtarët e saj.

“Ka pasur për qëllim që të ngulfaten të gjitha zërat që brenda parlamentit kërkojnë tranzicionin e gjelbër të ndodhë dhe të mos fokusohemi në energji të qymyrit. Për një vit e gjysmë Grupi i Gjelbër është sabotuar dhe penguar të formohet, dhe të njëjtit që sot bëjnë kërcënime ndaj anëtarëve ndaj Grupit të Gjelbër janë ata që i kanë penguar formimin. Për çudi kryetarja e Komisionit për Mjedis dhe Bujqësisë është ajo që i kërcënon anë2tarët e Grupit të Gjelbër dhe një nga anëtarët është larguar për shkak të këtyre kërcënimeve. Por, ne do të vazhdojmë”.