Arbëri

UP-ja do t’u kërkojë ambasadave të huaja ta monitorojnë përzgjedhjen e rektorit të ri

Descriptive Text

Kolegjiumi i dekanëve të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, ka vendosur t’u kërkojë ambasadave të huaja në Kosovë dhe organizatave të shoqërisë civile që ta monitorojnë procesin e përzgjedhjes së rektorit të ri.

Përmes një komunikate për media të enjten, kolegjiumi ka bërë të ditur se në një takim që ka pasur të enjten, i ka dhënë mbështetje të plotë ushtrueses së detyrës së rektores, Luljeta Plakolli – Kasumi.

“Kolegjiumi i dekanëve vendosi që Rektorati t’i kërkojë ambasadave të huaja në Republikën e Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile që të monitorojnë procesin e zgjedhjes së rektorit/rektores së re në mënyrë që të ushtrohet transparencë maksimale ndaj çdo faze të përzgjedhjes, përfshirë dhe vetë procesit intervistues. Vetëm konsensusi me akterët monitorues në këtë proces përzgjedhës mund të ofrojë një kandidat meritor, prandaj i qëndrojmë besnik parimit të hapjes maksimale dhe mbikëqyrjes së meritës së secilit kandidat në mënyrë aktive”, thuhet në njoftim.

Të hënën e kaluar, UP-ja ka hapur konkursin për rektorin e ri të universitetit. Konkursi është hapur pas shkarkimit që i është bërë të premten rektorit Naser Sahiti. Arsyet e shkarkimit nuk janë bërë të ditura nga Këshilli Drejtues i UP-së i cili e ka marrë këtë vendim.