Arbëri

Plani franko-gjerman drejt zbardhjes

Descriptive Text

Propozimi i Gjermanisë dhe Francës për dialogun Kosovë-Serbi është duke shkuar drejt publikimit, kanë paralajmëruar palët e përfshira. Për këtë thonë se ka mbetur “pak kohë”. Deri tash dihen fare pak detaje, e ato më së shumti janë ofruar nga Serbia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se propozimi franko-gjerman do të shpjegohet në detaje gjatë javëve dhe muajve të fundit. Në një konferencë për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Osmani ka thënë se iniciativa ka qëllim intensifikim të dialogut, paqen dhe stabilitetin.

“Unë asnjëherë nuk e kam mohuar që ky propozim ekziston. Përkundrazi, kam thënë se ekziston një iniciativë franko-gjermane që do t’i shpjegohet lidershipit më në detaje gjatë javëve dhe muajve në vijim. Do të ketë takime të institucioneve të Republikës së Kosovës, natyrisht nën udhëheqje të Bashkimit Evropian, edhe me palën gjermane, edhe me palën franceze. Në mënyrë që detajet e kësaj iniciative, që ka për qëllim intensifikimin e procesit të dialogut, që ka për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon, të shpjegohen në detaje, sapo të merren të gjitha përgjigjet natyrisht se ato do t’u sqarohen qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Përgjigjet është zotuar se do t’i ofrojë Serbia, presidenti i këtij, Aleksandar Vuçiq, po të njëjtën ditë. Ai ka thënë se ky plan është diskutuar edhe në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Ka shtuar se përgjigjet do të ofrohen së shpejti, teksa ka treguar se ka gjëra që Serbia s’i pranon.

“Në afat prej 24 orësh i kemi njoftuar për përgjigjet dhe do t’u dërgojmë edhe një përgjigje brenda 24 orëve, që jemi të gatshëm t’i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë. Kemi takuar përfaqësuesit për këtë çështje. S’do të hyja në detaje”, ka thënë Vuçiqi, raporton “Danas”.

Vuçiqi ka thënë se ky plan, që u është ofruar palëve, thotë se “palët janë të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, janë kushtet themelore për paqen”.

“‘Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e paraqitura në Kartat e OKB-së, veçanërisht ato që lidhen me unitetin sovran të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre’. Tash pyesni veten se a po bën dikush shaka apo çka? Ata po kërkojnë t’i shkelim ato parime, për t’i arritur parimet e tyre? Nëse kjo nuk ndodh, do të pasojë një ‘rrahje e rëndë’”, ka thënë Vuçiqi.

Një ditë më parë, edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, u shpreh se plani do të nisë së publikuari së shpejti. Ai u shpreh se SHBA-ja përkrah negocimin evropian.

Ekzistimi i këtij propozimi është konfirmuar për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në mes të tetorit, ai kishte thënë se propozimin nuk mund ta “hedhë nga dritarja”. Kishte deklaruar se rekomandohet pranimi nga Serbia që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së, e Serbisë t’i përshpejtohet rruga drejt BE-së.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë më i rezervuar rreth kësaj çështjeje. Ai ka pranuar se “ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova”, por ka thënë se nuk mund të thotë se ka “diçka të ngurtësuar” që do ta prezantonte në “formë përfundimtare”.