Arbëri

Osmani: Absurde të dekretoj kryeprokurorin e ri kur procesi është në gjykatë

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar absurd dekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit.

Pas ceremonisë së mbjelljes së druve në aksin rrugor tek Aeroporti i Prishtinës të mërkurën, Osmani foli për mosdekretimin e propozimit të Këshillit Prokurorial, për çka tha se procesi po kontestohet në gjykatat e Kosovës.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe Kushtetutën”, ka thënë Osmani, raportoi KSP-ja.

Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit në prill të këtij viti.

Me 11 vota pro, Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit, ndërkohë ankesa kanë ushtruar kundërkandidatët Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Kryesisht ankesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit ishin në bazat e moszbatimit të ligjit, moszbatimit të dispozitave të rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe për vlerësimin e e pasaktë.