Arbëri

Ndryshohet udhëzimi administrativ që mundësonte blerjen e barnave pa garanci cilësie

Kompanive farmaceutike u është ndaluar të marrin pjesë në tenderë nëse nuk posedojnë certifikatën e cilësisë, sigurisë e efikasitetit për barna. Pak ditë pasi KOHA raportoi për precedentin që mund ta krijonte një vendim i OSHP-së, në bazë të të cilin bliheshin barna pa këtë certifikatë, Ministria e Shëndetësisë hartoi udhëzimin e ri administrativ, nëpërmjet të cilit certifikata përbën kusht për pjesëmarrje në tender.

Brenda 24 orësh, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një udhëzim të ri administrativ që rregullon futjen e barnave në Kosovë pa Autorizim Marketing.

Me këtë akt juridik iu pamundësohet pjesëmarrja në tenderë kompanive që nuk kanë Autorizim Marketingu, me të cilin garantohet kualiteti i barnave.

Veprimi është ndërmarrë pasi KOHA raportoi javën e shkuar për vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, i cili i hapte rrugë blerjes së barnave pa kualitet e efikasitet të siguruar. Menjëherë pas raportimit, me kërkesë të ministres në detyrë të Shëndetësisë, Dafina Gexha, kryeministri Albin Kurti vendosi për shmangie të procedurave për finalizimin e Udhëzimit Administrativ.

“Kam pranuar kërkesën tuaj për shmangie nga procedurat e konsultimit publik, në rastin e plotësim-ndryshimit të UA nr. 02 2014 për thjeshtësimin, regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës, për shkak të nevojës emergjente për reagim ndaj situatës aktuale që vë në rrezik shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kurtit.

E, një ditë pas vendimit të Kurtit, dokumenti është finalizuar dhe nënshkruar nga Gexha.

Me Udhëzim Administrativ dy çështje thelbësore janë ndryshuar: Kompanitë nuk mund as të aplikojnë në tenderë pa Autorizim Marketing; ndërkaq edhe nëse do të nënshkruhej një kontratë pa përmbushur këtë kriter, ajo do të jetë e pazbatueshme, meqë nga tash importi i barnave pa Autorizim Marketing është i kufizuar në sasi të vogël, një herë brenda një viti.

“Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ nuk vlejnë për produktet medicinale të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga institucionet shëndetësore publike, me përjashtim të grupeve specifike të caktuara me vendim nga ministri”, thuhet në udhëzim.

Javën e shkuar KOHA raportoi për rrezikun që për pacientët ka kontraktimi i insulinave nga kompani që nuk kanë Autorizim Marketing, dokument nëpërmjet të cilit garantohen siguria, kualiteti dhe efikasiteti i barit. Pas raportimit, tenderi u anulua.

Edhe në rast ankese dhe kompania e njëjtë e fiton kontratën për insulina, asaj do t’i duhet të aplikojë për leje importi që t’i furnizojë spitalet. E në këtë rrethanë do të zbatohej Udhëzimi Administrativ i ri, sipas të cilit pa Autorizim Marketing kjo dhe secila kompani tjetër mund të fusin në Kosovë vetëm 3000 njësi të barit në vit, shumëfish më pak sesa numri i njësive të parapara në tender.

“Përgjegjësitë e Komisionit për regjistrimin e produkteve pa paralele janë: Të vlerësojë nevojën për importin e produktit pa paralele për sasi të kufizuara deri në tre mijë (3000) kuti brenda vitit dhe nuk tejkalon vlerën prej pesëdhjetë mijë (50.000.00) euro në vit”, thuhet në UA.

Vendimi i OSHP-së që i hapte rrugë kontraktimit të barnave pa Autorizim Marketing ishte i pari i këtij lloji dhe përbente precedent që mund të ulte kualitetin në fushën e tregut të barnave.