Arbëri

MASHTI u kërkon drejtorive nëpër komuna kompensimin e mësimit të shtunave

Ministria e Arsimit u ka kërkuar sërish drejtorive të Arsimit nëpër komunat e Kosovës që t’i ftojnë mësimdhënësit dhe nxënësit t’i mbajnë orët mësimore të shtunën si formë për kompensimin e orëve të humbura si pasojë e grevës së arsimit.

Në një dokument që Ministria ua ka dërguar drejtorive të enjten kërkohet ndër të tjera që në takimet e kujdestarëve të klasave me prindër, të sqarohet domosdoshmëria e realizimit të ditëve të mësimit për orët e pambajtura si pasojë e grevës.

“Në takimet e kujdestarëve të klasave me prindër, të sqarohet domosdoshmëria e realizimit të ditëve të mësimit për orët e pambajtura si pasojë e grevës, në funksion të zbatimit të planprogramit dhe arritjes së rezultateve mësimore të synuara për nxënësit”, thuhet në letër.

Kundër mbajtjes së mësimit të shtunave po vazhdon të shprehet Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Edhe të premten, ky Këshill ka shkruar në rrjetet sociale se nuk e pranojnë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë fundjavës, me arsyetimin se fëmijët kanë ato ditë aktivitete të tjera jashtëshkollore e po ashtu kanë të drejtë për pushim.

Edhe Sindikata e Arsimit është shprehur kundër mbajtjes së orëve të mësimit të shtunën.

Greva në arsim është mbajtur nga 25 gushti e deri më 3 tetor.